Secondary Adv

Detyrimet vendore deri në vitin 2014 do të falen, Drejtoria e Tiranës sqaron periudhat

Ligji nr. 86/2025 parashikon faljen e plotë të detyrimeve vendore deri në vitin 2014 dhe lehtësira për vitet pasuese, me kushte të ndryshme pagese për principalin.

Falje e plotë deri në vitin 2014

Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore për Bashkinë Tiranë ka sqaruar se, në bazë të ligjit nr. 86/2025, do të falen plotësisht të gjitha detyrimet e papaguara vendore deri më 31 dhjetor 2014. Kjo masë përfshin si bizneset ashtu edhe qytetarët, përfshirë pronarët e njësive tregtare.

 

Vitet 2015–2019, falje e gjobave me pagesë të pjesshme të principalit

Për detyrimet e krijuara në periudhën 2015–2019, përfituesit duhet të paguajnë vetëm 50% ose 75% të detyrimit kryesor, ndërsa të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat do të falen. Kjo skemë zbatohet si për subjektet tregtare ashtu edhe për qytetarët që kanë detyrime vendore.

 

Vitet 2020–2024, pagesë e plotë e principalit deri në fund të 2026

Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, ligji parashikon faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave vetëm nëse paguhet i gjithë principali deri më 31 dhjetor 2026. Në të kundërt, lehtësitë nuk do të aplikohen.

Drejtoria thekson se nga ky ligj nuk përfitojnë subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, apo që janë aktualisht në proces gjyqësor ose hetim penal për vepra në fushën tatimore dhe/ose doganore.

 

Të njëjtat rregulla edhe për tatimet dhe doganat

Ligji parashikon afate dhe kushte të njëjta edhe për detyrimet e papaguara në tatime dhe dogana. Për periudhën deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirje e plotë e detyrimeve, ndërsa për vitet 2015–2019 ofrohet falje e pjesshme me kushtin e pagesës së 50 deri në 75% të principalit. Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, falja e gjobave dhe kamatëvonesave bëhet vetëm nëse principali paguhet plotësisht brenda afatit të përcaktuar, deri në fund të vitit 2026.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat